Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot në ?555-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot – Skënderbeut, ka deklaruar se përkujtimi i Skënderbeut është një rast për t’u larguar përkohësisht nga politika e ditës dhe parë gjërat në tërësinë e tyre.
Begaj ka potencuar se Skënderbeu s’është një legjendë, është një hero, por mbi të gjitha është një e vërtetë.
Begaj ka theksuar se Skënderbeu është një nga emrat e ndritur të historisë evropiane. Ai ka potencuar se Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar, sepse siç ka potencuar ai, ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, suksesin dhe shembullin.
“Sot, 555 vjet pas vdekjes së tij, në kohën e duhur për të njohur vlerat e këtij populli, të gjeneralizosh shqiptarët me të kundërtën e asaj ç’ka historia e parë gjakftohtësisht e profesionalisht ka treguar, është mashtrim! Eshtë keqdashje! Gjej rastin e këtij përkujtimi të Heroit Kombëtar për të shprehur bindjen se jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit duhet të na rikujtojë fuqishëm respektin e madh për veten. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, djali i Vojsavës e i Gjonit u rrit në fëmijëri me dashurinë për trojet shqiptare për të cilat u rikthye e dha jetën. Ai është një nga emrat e ndritur të historisë europiane. Ne shqiptarët edhe sot 617 vjet pas lindjes së Kastriotit të shumë përmendur në shumë kronika e histori, duhet t’i kujtojmë disave historinë e vendit tonë dhe historinë e Europës. Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar, sepse ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, suksesin, dhe shembullin. E shqiptarët dinë të jenë mirënjohës. Por, Gjergji Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre dhe dinë të arrijnë suksesin për vete e për të tjerë. Këto shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë edhe atje ku zyrtarë të lartë duan të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor, duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve. Qofshim ne shqiptarët kudo të jemi çdo ditë, e veçanërisht në ditë si kjo kur përkujtojmë heroin europian dhe rolin tonë si popull në historinë botërore, të ndërgjegjshëm për cilësitë tona. Uroj të dimë t’i mbrojmë këto cilësi me zgjuarsi, dije e bashkëpunim siç dhe bëri Gjergj Kastrioti. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin shqiptar!”, ka thënë Begaj.