17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Edhe pse kanë kaluar 43 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.
Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.
Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë prej tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe iu ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit.Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: "Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit". Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hubner: duhet qëlluar me katër plumba, "tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse".