Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave. Në takim, Vuçiq tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.
Arrestimi i Pantiqit, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.
Vuçiq, i cili po bisedon me përfaqësuesit e serbëve në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë afër kufirit me Kosovën, tha se kërkesa e tyre e dytë është që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht".
Para takimit, presidenti i Serbisë tha se do të “pranojë çdo vendim” të serbëve nga Kosova. Ai tha se pret që serbët “të vijnë me kërkesa për të dhe për Serbinë”, dhe shtoi se ata nuk i besojnë as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së, e më së paku kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një deklaratë të përbashkët më 28 dhjetor, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Kryetari i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë, Goran Rakiq tha sot se serbët refuzojnë të tërhiqen nga barrikadat, edhe pse Vuçiqi mendon se kjo do të ishte një gjë e mirë.
Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar.
Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.
Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët./REL