Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur sot se ka vendosur për çështjen penale ndaj të akuzuarve L.S, A.S, I.S dhe ndaj një të mituriPërmes një komunikate për media, Gjykata njofton se “i akuzuari L.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej tridhjetë ( 30 ) vite, për veprat penale Vrasje e rëndë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari A.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vite burgim, për veprën penale Lëndim i lehtë trupor, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa konform nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 të KPP-së, i akuzuari A.S është liruar për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
I mituri është shpallur fajtor për veprën penale Lëndim i lehtë trupor dhe gjykata i shqiptoj masën e dërgimit në institucion edukativo-korrektues në kohëzgjatje prej tetë (8) muaj, ndërsa konform nenit 363 paragrafi 1 pika 1.3 të KPP-së, i mituri është liruar për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.
Të akuzuarve L.S, I.S dhe A.S do iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të akuzuarit L.S, i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim prej 30 (tridhjetë) vite.