Petro Marko u lind në Dhërmi më 25 nëntor 1913 dhe vdiq në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit pa ceremoni.
Ai ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. I lindur nga prindërit Marko e Zoica, Petro Marko u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.
Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).
U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n\'Athinë, ku kishte të vëllan Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!...”, replikë që i shkaktoi përjashtimin. Nëpërmjet punëdhënësit të të vëllait krijohet mundësia të hyjë në një shkollë jo shtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.
Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe me të arritur në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një “shok” serb që mbante si nofkë “Robert”. Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetash që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigada ve Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingëay, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.
Hyn në Itali nga fundi i 1939. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t'i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)... mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit të jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, Ernest Koliqit dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.
Vepra
Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do t’i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”... gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të pa luhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70-ta, ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet '60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jo natyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet '40, '50-ta, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuar dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët - Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte.
Tituj të veprave:
Qyteti i fundit (1960) [2]
Një emër në katër rrugë
Nata e Ustikës (1989) [2]
Shpella e piratëve- roman [2][4]
“Horizont” - roman [5]
Fantazma dhe plani 3+4
Një natë dhe dy agime
“Stina e armëve” - roman [6]
Shpella e pirateve
“Tregime” - tregime [8]
“Retë dhe gurët” - 2000
Ultimatumi - 2002
Mirënjohje
Mjeshtër i Madh i Punës - 1998
“Qytetar Nderi” i Vlorës - 2002
Urdhri “Nderi i Kombit” - 2003