Pas rreth 20 vjetëve punë të suksesshme të Universitetit të Prishtinës, vitet 1989-1990 shënuan fillimin e përpjekjeve të pandalshme serbe për ta shkatërruar arsimin e lartë në Kosovë.
Me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të Serbisë, një figurë ultranacionaliste e politikës serbomadhe, i cili nxiti kundër shqiptarëve politika nacional-shoviniste, së pari në mesin e serbëve të Kosovës, më pastaj edhe në Serbi e më gjerë, shkolla shqipe në Kosovë, në veçanti Universiteti i Prishtinës, mori goditje të mëdha që çuan deri në rrezikimin serioz, me përmasat e shkatërrimit të arsimit shqip. Pushteti nacionalist serb u angazhua për ndryshimin dhe ndalimin e shollës shqipe në Kosovë.
Gjatë vitit të ri akademik udhëheqësja e dhunshme, e dominuar nga kuadrot serbo-malaziase, e rritën numrin e studentëve për 923 studentë, kryesisht studentë serbë të sjellë nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi.
Më 21 gusht 1991, grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë, ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Porse, me fillimin e vitit 1992, synohet të gjenden mundësitë dhe format që shkolla shqipe të fillojë të jetë aktive.
Në vitin 2019 ka kaluar ligji për statusin e punëtorëve të arsimit, sipas të cilit mësimdhënësve që kanë punuar në sistemin arsimor 1990-99, u ofrohen benificione pas daljes në pension. Përveç mësimdhënësve, sipas ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre, të shfrytëzohen si shkolla do të gëzojnë benificione, si dhe punëtorët teknikë dhe shërbyes.