Myrtë Zeneli u lind më 11 tetor të vitit 1962 në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë.
Shkollën fillore e mbaron në fshatin Zhebel, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë.
Në prill të vitit 1998 komanda e zonës e emëron epror në njësitin sulmues të Dushkajës. Qysh prej asaj kohe Myrtë Zeneli merr pjesë në luftimet e shumta kundër okupatorit në Sukë të Cërmjanit, në Kralan, Jabllanicë, Qeskovë e pika të tjera.
Në Këpuz, në maj të vitit 1998 u zhvilluan luftime ballë për ballë me forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe. Në ato përleshje direkte marrin pjesë: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Naser Brahimaj, Alush Agushi nga Drenoci i Klinës dhe shumë luftëtarë të tjerë.
Goditja e helikopterit ushtarak, e tipit “Kobra”, shënon fitoren e parë të këtij lloji të luftëtarëve të Dukagjinit kundër forcave ajrore të okupatorit.
Më 21 maj 1998 në luftë kundër forcave të okupatorit, përveç Myrtë Zenelit, Naser Brahimajt e Agim Zenelit me shokë, marrin pjesë edhe Xhelal Hajda, Fadil Nimani, Alush Agushi e shumë trima të tjerë. Po atë ditë Myrtë Zeneli ishte pozicionuar rreth Qafës së Dollovës nga drejtimi i Bokshiqit. Ndërkohë forcave të rrethuara armiku iu vijnë përforcime nga të gjitha anët.
Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli, e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi Ramush Haradinaj.