Një grup prej 26 punonjësish të kompanisë Meta kanë ngritur padi ndaj gjigantit të teknologjisë, duke e akuzuar se përdori sisteme të inteligjencës artificiale (AI) për të përzgjedhur punonjësit që do të largoheshin nga puna, duke prekur në mënyrë disproporcionale ata që ishin në pushim me leje mjekësore, prindërore ose familjare.
Padia, e depozituar të hënën në një gjykatë federale në Oakland të Kalifornisë, lidhet me valën e largimeve të njoftuara nga Meta në muajin maj, kur kompania bëri të ditur se do të shkurtonte rreth 8 mijë vende pune, ose afërsisht 10% të fuqisë së saj punëtore.
Paditësit pretendojnë se këto sisteme nuk merrnin parasysh faktin që punonjësit në pushim të mbrojtur nga lejet mjekësore ose familjare nuk mund të arrinin të njëjtin nivel pune dhe produktiviteti si kolegët e tyre. Sipas tyre, Meta nuk mori për bazë vlerësimin automatik kur pezulloi punonjësit dhe nuk zhvilloi një shqyrtim individual të rasteve, siç kërkohet nga ligji.
Si rezultat, padia pretendon se punonjësit që ndodheshin në leje të mbrojtur u përzgjodhën në mënyrë jo proporcionale për t’u larguar nga puna, raporton AP përcjell Kosova Press.Sipas padisë, rreth gjysma e paditësve kishin marrë leje për kujdes familjar ose për arsye që lidhen me pushim të lehonisë. Tetë prej tyre janë gra që kishin marrë leje lindjeje ose shtatzënie, katër janë burra që kishin marrë leje prindërore, ndërsa një grua kishte marrë leje për t'u kujdesur për një anëtar të familjes dhe më pas leje zie.
Po ashtu, padia përmend rastin e një punonjësi që kishte deklaruar një gjendje të rëndë shëndetësore dhe aftësi të kufizuar, e cila ishte miratuar edhe nga ofruesi shëndetësor i Meta-s. Sipas pretendimeve, ai ishte dekurajuar nga një menaxher që të mos merrte lejen mjekësore, me paralajmërimin se kjo do ta bënte më të mundshme përzgjedhjen e tij për pushim nga puna. Padia pretendon gjithashtu se Meta nuk i ofroi atij akomodimin e nevojshëm për rastin e tij specifik.
Padia mbështetet gjithashtu në parimin ligjor të njohur si "disparate impact" (ndikim disproporcional), sipas të cilit një politikë që duket neutrale mund të konsiderohet diskriminuese nëse prek në mënyrë të pabarabartë një kategori të mbrojtur punonjësish dhe nuk është e domosdoshme për kryerjen e punës.
Avokatët e paditësve kanë kërkuar që gjykata të ruajë statusin aktual të punonjësve dhe të pezullojë largimet e tyre deri në përfundimin e arbitrazhit. Sipas tyre, nëse pushimet nga puna hyjnë në fuqi, dëmet do të jenë të pakthyeshme, duke përfshirë humbjen e sigurimit shëndetësor gjatë shtatzënisë ose trajtimit mjekësor, humbjen e të drejtave për leje të mbrojtura, humbjen e përfitimeve financiare dhe, në disa raste, pasoja edhe për statusin e emigracionit të punonjësve.