25 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

"Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes", kishte thënë presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024