Organizata amerikane për të Drejtat e Njeriut "Human Rights Watch ", 24 vjet më parë publikoi raportin me titull "Java e terrorit në Drenicë" .
Në këtë raport, i cili u publikua më 8 shkurt 1999, përshkruhet se si forcat speciale serbe kah fundi i shtatorit 1998 masakruan 21 civilë në Abri e Epërme, dhe vranë 13 burra në fshatin e afërt Golluboc. Ekstrakt nga Raporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut - Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë
Dhe në fund të kësaj ofensive, vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve. Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë. Rreziku që u kanosej civilëve në Kosovë ishte artikuluar në një qëndrim publik të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lëshuar në shtator: "Në momentin e tanishëm mbretëron gjendje e rënd dhe e pandryshueshme për disa javë me radhë. Dhjetëra e mijëra civilë janë në rreth të hekurt të sulmeve dhe të zhvendosur nga trojet e veta. Ata i janë ekspozuar dhunës, madje u kërcënohet edhe jeta, shkatërrimi i shtëpive, ndarja nga familjet dhe abduksioni.
Mijëra sish nuk kanë vend ku të strehohen as të kërkojnë vetëmbrojtje..."Nga mesi i shtatorit, presioni ndërkombëtar ndaj Millosheviqit për të ndërprerë këtë ofensivë ishte rritur. Por, tashmë qeveria kishte arritur të shkatërrojë qendrat dhe vendqëndrimet e UÇK-së, duke i shtyrë ata drejt maleve. Veprimet shkatërruese kishin ngelur pambaruar edhe në një zonë të rëndësishme; Drenicën, pjesën qendrore të Kosovës, ku kishin zënë vend luftimet më të shumta mes UÇK-së dhe forcave të qeverisë. Dyshohej se ditët finale të ofensivës ishin kalkuluar me kujdes.
Duke iu referuar Naim Malokut, një komandues i UÇK-së dhe ish-oficer i armatës jugosllave i intervistuar nga "Nju Jork Times", forcat jugosllave hasën në rezistencë të UÇK-së mes Abrisë dhe Likocit... Pas pushtimit të Likocit, forcat e serbe ishin nisur drejt Abrisë. Sipas Zejnije Deliut, që ishte me familjen e saj në Abri, në fillim të ofensivës, forcat e qeverisë filluan të bombardojnë lagjen Deliu nga Likoci që në mëngjes, rreth orës tetë, të premten, më 26 shtator, nga llojet më të ndryshme të artilerisë dhe mortajave. Shumica e banorëve të lagjes ishin strehuar në pyll, për t'u ikur granatimeve.
I vetmi civil që kishte ngelur në Lagje gjatë granatimeve ishte Bashkim Deliu, 21 vjeçar, që duhej të kujdesej për babanë e tij Fazliun, 94 vjeçar dhe invalid. Bashkimi sqaron se sulmet vazhduan sërish të shtunën në mëngjes, pasi në mbrëmjen e së premtes policët sërish ishin kthyer në Likoc. Gjysma e konvojit të tankeve në Likoc, që ishin rreth 68 gjithsej, kishin lëvizur në drejtim të lagjes Deliu.