Nga 1 janari i vitit të ardhshëm pritet të hyjë në fuqi një Rregullore e re e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) për mbrojtjen e qytetarëve që blejnë pako televizive nga operatorët kabllorë. Kjo rregullore e miratuar këto ditë në KPM, mbron përdoruesit nga reklamat mashtruese dhe u ofron qytetarëve mundësinë e ndërprerjes së kontratës apo kthimit të mjeteve në rast se kushtet e kontratës shkelen njëanshëm. Do të ketë edhe masa sanksionuese me para për operatorët të cilët nuk e respektojnë rregulloren e re, thotë për KosovaPress Jeton Mehmeti.
Me rregullorën e re që ka miratuar KPM gjatë muajit nëntor, qytetarët kanë të drejtën e shkëputjës së kontratës me kabllorët në rast se operatori i shpërndarjës i shkel kushtet e parapara në kontratë.
Mehmeti derisa jep detaje më shumë rreth rregullores së re për mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve mediale audiovizuele, nënzivon se në të njejtën do të parashihet edhe skadenca e të drejtave të transmetimit për ngjarjet sportive apo të tjera.
Mehmeti në intervistën për KosovaPress, tregon se arsyeja që kanë nxjerrë këtë rregullore lidhet me numrin e madh të ankesave që kanë bërë qytetarët ndaj disa operatorëve kabllorë.Rregullorja e re obligon të gjithë operatorët e shpërndarjes që në rast të ndryshimit të kushteve të kontratës, të njoftojnë qytetarët 30 ditë më parë.
Ai nuk përjashton sanksione monetare në rast se ndonjë operator kabllor nuk e respekton rregulloren e re. Siç thotë ai, nga ankesat e qytetarëve që kanë qenë me bazë kanë shqiptuar edhe gjoba monetare ndaj disa operatorëve kabllorë.