24 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha në Suharekë e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetonte.
E tëra kishte nisur kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk ka qenë më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, ishin shfaqur paramilitarët serbë, që disa i kishin vrarë në pragun e shtëpisë e të tjerët i kishin dëbuar nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe kishte ndodhur masakra.
Para pak vjetësh, ishin gjetur dhe varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur eshtrat e të gjithë anëtarëve të familjes Berisha./KosovaPress/