Të paktën 23 persona janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimeve të dyshuara vetëvrasëse që ndodhën të hënën mbrëma në qytetin Maiduguri, në verilindje të Nigerisë, njoftoi policia të martën.
Sipas autoriteteve, tre shpërthime u raportuan në zona të mbushura me njerëz, përfshirë një treg të madh dhe hyrjen e Spitalit Universitar të Maidugurit, në shtetin Borno, shkruan AP, transmeton KosovaPress.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet, por dyshimet bien mbi grupin xhihadist Boko Haram, i cili që nga viti 2009 zhvillon kryengritje në verilindje të Nigerisë për të imponuar interpretimin e tij radikal të Sheriatit.
Boko Haram ndër vite është forcuar dhe ka krijuar fraksione të ndryshme, përfshirë Provincën e Afrikës Perëndimore të Shtetit Islamik, e mbështetur nga grupi Shteti Islamik.Banorët përshkruan kaosin pas shpërthimeve, ndërsa një vullnetar që ndihmon forcat e sigurisë tha se bëhet fjalë për një nga sulmet më vdekjeprurëse në qytet në vitet e fundit dhe se ka nevojë urgjente për gjak.
Ndërkohë, ekstremistët kanë shtuar sulmet ndaj bazave ushtarake të Nigerisë, duke vrarë oficerë dhe ushtarë, si dhe duke marrë armë dhe municione nga këto baza.