22 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në Ibër dhe trazirat që e “turpëruan” Kosovën
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
22 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në Ibër dhe trazirat që e “turpëruan” Kosovën
Trazirat e marsit
17/03/2026 - 10:44
Linku u kopjua

Sot janë bërë 22 vjet që nga trazirat e 17 marsit 2004, kur qytetarët u revoltuan pas mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, në fshatin Qabër të Zubin Potokut. Një i katërt që pati shpëtuar, sipas familjarëve kishte treguar se  ata ishin ndjekur me qen nga fqinjtë serbët në anën tjetër të lumit.

Kjo ngjalli reagime të ashpra tek qytetarët shqiptarë, të cilët më 17 mars nisën protestat thuajse në të gjithë Kosovën, që më pas eskaluan në dhunë.

Edhe 22 vjet pas, ende nuk dihet se kush i organizoi apo nëse ishin të orkestruara qëllimshëm, por disa persona ishin dënuar për pjesëmarrje.

Nga këto protesta që u shndërruan në dhunë kryesisht ndaj objekteve fetare serbe, e ku cak ishin edhe misionet ndërkombëtare UNMIK dhe KFOR, pati edhe të vrarë shqiptarë e serbë, qindra të lënduar e qindra shtëpi e monumente historike të shkatërruara.

Në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) të botuar më 30 prill 2004, theksohej se në ato protesta humbën jetën 19 persona, nga të cilët 11 ishin shqiptarë të Kosovës dhe 8 ishin serbë të Kosovës, derisa, 954 persona të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve.

“Përveç kësaj, 65 policë ndërkombëtarë, 58 oficerë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) dhe 61 punonjës të Forcës së Kosovës (KFOR) kanë pësuar lëndime. Përafërsisht 730 shtëpi që u përkisnin pakicave, kryesisht serbëve të Kosovës, ishin dëmtuar ose shkatërruar. Në sulmet ndaj trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës, 36 kisha ortodokse, manastire dhe vende të tjera fetare e kulturore ishin dëmtuar ose shkatërruar. Vendet e adhurimit që u sulmuan datojnë që nga koha e shekullit të katërmbëdhjetë. Dy prej tyre janë të renditura nga UNESCO si vende kryesore të rëndësisë universale dhe e treta renditet si një vend me rëndësi rajonale. Përveç kësaj, prona e UNMIK-ut dhe KFOR-it ishte dëmtuar ose shkatërruar”, thuhej në raport.

Në këtë raport, theksohej se Policia e UNMIK-ut po heton në mënyrë aktive të gjitha incidentet që kanë të bëjnë me ngjarjet e dhunshme, kur deri në atë kohë, hetimet kishin rezultuar më mbi 260 arrestime në lidhje me dhunën.

“Janë bërë edhe 400 arrestime për shkelje të ndalim-qarkullimit, të cilat kanë pasur janë vendosur në disa zona nga KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut për të parandaluar dhunën. Prokurorët ndërkombëtarë po punojnë aktualisht në më shumë se 45 raste dhe rreth 120 raste të tjera po trajtohen nga gjyqësori vendor. Duke pasur parasysh shkallën e dhunës, megjithatë, është e qartë se kapaciteti shtesë hetues është ende i nevojshëm për të lejuar autoritetet e zbatimit të ligjit për të ndjekur dhe përfunduar në mënyrë efektive hetimet në kohën e duhur”, thuhej e tutje në raport.

Edhe në një raport tjetër të UNMIK-ut të publikuar më 30 korrik 2004, theksohej se është bërë progres i konsiderueshëm për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën në mars.

“Aktualisht, prokurorët ndërkombëtarë po trajtojnë 52 raste që përfshijnë krime të rënda. Këto përfshijnë hetimet gjyqësore në 20 vdekjet e lidhura me dhunën në mars. Janë hapur disa raste kundër organizatorëve të dhunës, duke përfshirë rastet e dhunës ndëretnike. Hetimet në zjarrvënie si dhe dhuna e ushtruar kundër policisë dhe KFOR-it janë në proces. Nga këto hetime, 17 raste janë në fazën e hetimeve gjyqësore, të cilat përfshijnë 34 të pandehur, 18 prej të cilëve janë në paraburgim. Përveç kësaj, janë lëshuar pesë aktakuza. Gjyqësori vendas është duke trajtuar më shumë se 260 raste të lidhura me dhunën, duke përfshirë vjedhjen, zjarrvënien, sulmet ndaj zyrtarëve dhe kundërvajtjet. Përveç kësaj, 80 persona tashmë janë dënuar për kundërvajtje duke marrë dënime duke filluar nga vërejtjet e gjykatës dhe gjobat deri në 200 euro për dënime për një periudhë prej dy deri në gjashtë muaj burgim”, thuhej në raportin e korrikut 2004.

Megjithatë, rrethanat e mbytjes së tre fëmijëve në lumë nuk u zbardhën asnjëherë, meqë prokuroria e pati mbyllur rastin në mungesë provash nëse dikush vërtetë i kishte ndjekur vogëlushët me qen.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026