"2 Korriku", i teti në Gothia Cup nga 252 ekipe dhe fitues për veshjen më të mirë
Tema
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
"2 Korriku", i teti në Gothia Cup nga 252 ekipe dhe fitues për veshjen më të mirë
749629402_122200126118481777_5214825774301675047_n
25/07/2026 - 10:14
Linku u kopjua

Klubi i Futbollit “2 Korriku”, mori pjesë në turneun ndërkombëtar të futbollit për grupmoshat e reja, Gothia Cup 2026, duke u renditur në mesin e tetë skuadrave më të mira nga 252 skuadra në kategorinë B15 dhe duke fituar çmimin për veshjen më të mirë “Best Outfit Aëard 2026”, pasi u paraqitën me kostume kombëtare.

Trajneri i ekipit U15, Art Rrustemi, duke folur për KosovaPress, tregoi se rezultatet e arritura nuk kanë ardhur lehtë, pasi skuadra është përballur me kundërshtarë të nivelit shumë të lartë nga vende të ndryshme të botës.

“Kundërshtarët kanë qenë mjaft cilësorë. Kemi pasur lojë shumë të forta atje. Edhe pse ndoshta ndokush që i ka parë rezultatet ka menduar që ka qenë ndoshta kundërshtari pak më i dobët ose cilësia e turneut jo aq e madhe, po ne që kemi qenë aty mundemi me garantu që nuk kanë qenë aq të dobët dhe nuk ka qenë cilësia e dobët, po kanë qenë mjaft kundërshtarë të fortë. Ku jemi ballafaquar edhe me disa ekipe angleze, amerikane, portugeze, norvegjeze, suedeze, të ligës së parë suedeze. Po ashtu ka pasur edhe lojtarë të ekipit anglez që kanë luajtur në akademinë e Burnley, që domethënë kjo kallëzon për cilësinë edhe nivelin e garës”, deklaroi Rrustemi.

Duke folur për çmimin që e fituan “Best Outfit Aëard 2026”, ai bëri të ditur se ideja për prezantimin me kostume kombëtare kishte ardhur nga prindërit e futbollistëve.

“Po kjo zgjedhje pak a shumë ka qenë më së pari si ide e prindërve. Domethënë e kanë marrë si ide diçka pak më kreative edhe me rënë në sy atje, duke marrë parasysh që veshjet kombëtare datojnë prej një kohe shumë të lashtë, edhe është diçka një vlerë shumë e madhe kombëtare që ia ka vlejtur në atë turne me tërë ata njerëz, me tërë atë stadium aq të madh me u mbush, edhe me pa që Kosova edhe pse një vend i vogël ka vlera edhe jashtë fushës po edhe brenda fushës”, u shpreh ai.

Kapiteni i ekipit, Gent Stanovci, tha se suksesi ishte rezultat i përgatitjeve të mira dhe punës së ekipit.

Edhe futbollisti Blin Muhaxheri e cilësoi pjesëmarrjen në Gothia Cup si një përvojë të rëndësishme.

Ndërkaq, lojtari Oldion Kiqina e përshkroi arritjen si një sukses të madh për skuadrën.

Në edicionin 2026 të Gothia Cup, 2 Korriku përfaqësoi Kosovën me dinjitet, duke u renditur në mesin e tetë skuadrave më të mira nga 242 ekipe pjesëmarrëse në kategorinë B15, ndërsa triumfoi edhe me çmimin për paraqitjen më të mirë me kostume kombëtare në ceremoninë hapëse të turneut.

Suksesi i 2 Korrikut është vlerësuar si një dëshmi e cilësisë së futbollit të të rinjve në Kosovë dhe një promovim i sportit e identitetit të vendit në arenën ndërkombëtare.

KosovaPress


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026