18-vjetori i Kushtetutës: Partitë theksojnë rëndësinë e këtij dokumenti si udhërrëfyes i shtetndërtimit
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
18-vjetori i Kushtetutës: Partitë theksojnë rëndësinë e këtij dokumenti si udhërrëfyes i shtetndërtimit
KUSHTETUTA-E-KOSOVES1234
09/04/2026 - 14:28
Linku u kopjua

Me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerësuan rëndësinë e Kushtetutës si aktin më të lartë juridik, duke vënë në dukje se është udhërrëfyes për zhvillimin demokratik të vendit.

Kryetari PDK-së, Bedri Hamza, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të Kushtetutës në çdo rrethanë

“Kushtetuta mbetet udhërrëfyesi ynë për ndërtimin e një shteti ligjor, të drejtë dhe të barabartë. Në këtë ditë të rëndësishme, riafirmojmë përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për respektimin dhe mbrojtjen e këtij akti në çdo kohë dhe rrethanë. Gëzuar Dita e Kushtetutës”, u shpreh Hamza.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thase në këtë 18 vjetor të miratimit të Kushtetutës, kujtojmë me mirënjohje sakrificën dhe vendosmërinë e popullit që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik si dhe të gjithë qytetarëve që me përkushtim punuan dhe kontribuan në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit, mbi vlerat demokratike.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. E po ashtu është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë“, shkroi Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ky dokument mishëron idealet e luftës çlirimtare për liri dhe shtetësi.

“Kjo Kushtetutë moderne është gardiani që mbron arritjen më të madhe të shqiptarëve, shtetin e pavarur të Kosovës, duke garantuar të drejtat e njeriut, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve pa dallim”, shkroi Haradinaj, duke bërë thirrje që të ndalen urgjentisht shkeljet e Kushtetutës, ku sipas kësaj partie, në pesë vitet e fundit, janë parë shkelje të panumërta të Kushtetutës, përmes vendimeve dhe veprimeve antikushtetuese duke anashkaluar qëllimshëm parimet e saj.

Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën më 9 prill 2008, ndërsa ajo hyri në fuqi dy muaj më pas.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon votim të dyfishtë: dakordim nga dy të tretat e të gjithë deputetëve dhe nga dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026