Ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara, Ridi Kurtezi, thotë se në Dubai, por edhe në qytete të tjera ndodhen rreth 1500 shqiptarë.
Kurtezi thotë se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me ministrinë e jashtme dhe për momentin nuk është nevoja për evakuim emergjent.
“Në Emiratet e Bashkuara Arabe kemi përafërsisht 1,400–1,500 shqiptarë me rezidencë, që punojnë dhe jetojnë këtu, por ka edhe një numër turistësh, i cili është i pa njohur, pasi ata lëvizin pa viza dhe nuk kanë obligim të lidhen me ambasadën. Mendohet se, përveç këtyre 1,500 rezidentëve, mund të ketë rreth 2,000 të tjerë që shkojnë dhe vijnë pa pasur nevojë për vizë. Ka një interes të shtuar për të kuptuar se çfarë do të ndodhë, jemi në kontakt, shkëmbejmë telefonata dhe email-e, mundohemi t’i qetësojmë, pasi nuk bëhet fjalë për një bllokim, por për gjetjen e rrugëve alternative për lëvizjen e tyre. Sot kjo është e pamundur, për faktin se duhet të kuptojmë se mbrojtja raketore e Emirateve, e cila sot është një nga më të mirat në botë, nuk mund të lejojë lëvizjen e aeroplanëve, pasi duhet të interceptojë raketat”, shton ai.
“Mendoj se ndoshta edhe nesër do të kemi lajme të reja, të cilat do të mundësojnë lëvizjen. Sot kam ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme; kam qenë atje në një briefing të ministres së shtetit, e cila bëri me dije se nuk duhet të ketë vend për panik, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë situatën nën kontroll përmes mbrojtjes raketore”, theksoi Kurtezi.Ai po ashtu ka thënë se nuk po flitet për momentin për evakuim, për faktin se leja për hyrje dhe dalje është e pamundur, jo vetëm për Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe për vendet fqinje.