Si sot 113 vjet më parë, më 23 qershor 1911 mori jetë programi politik i pavarësisë së Shqipërisë Kuvendi i Greçes. Në themelet e historisë së qëndresës dhe përpjekjeve të shqiptarëve, për autonomi, vetëqeverisje dhe një Shqipëri të lirë e të pavarur, Kuvendi i Greçes solli në jetë 12 kërkesat e memorandumit autonomist. Kërkesat e Kuvendit të Greçes njihen me emrin historik Memorandumi i Greçes.
Ky kuvend u mbajt në pllajën e Greçës, në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe dhe u hartua nga Luigj Gurakuqi dhe Ismail Qemali. Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët. Është shkruar shqip dhe frëngjisht dhe ia paraqiti Kuvendit të krerëve të kryengritjes Luigj Gurakuqi.
“Libri i Kuq”, i quajtur kështu memorandumi për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilën u shtyp, iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.
Malësorët filluan dhe zhvilluan kryengritjen të vetëdijshëm se nuk kanë mundësi dhe forcë të mposhtin turqit, por të bindur se do të ndikojnë në përmirësimin e pozitës së tyre dhe të bindin opinionin demokratik evropian në zgjedhjen e problemit të shqiptarëve. Në memorandum thuhej: “...na po bajmë fli për arsye të nalta politike dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar tash pesë shekuj, e lypim vetëm autonomi të gjanë...”.
12 kërkesat e Kuvendit të Greçës
1. Garanci për të respektuar të drejtat, zakonet e besimet
3. Liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve
4. E drejta e shqiptarëve të mësojnë e përparojnë në gjuhën e vet
6. Të zgjedhurit e Valinjeve dhe tjerëve nëpunës të lartë të shtetit të bëhen në mes më të mirëve shqiptarë
7. Emërimi i një përfaqësuesi të sulltanit si inspektor i përgjithshëm që të mbikëqyrë zbatimin e atyre që u takojnë vendasve (shqiptarëve)
9. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak shqiptarët ta kryejnë në vendet e veta
10. Të ardhurat nga taksat të shfrytëzohen për ndërtimin e rrugëve, shkollave (shqipe) e tjerë
12. Sigurimi i fondeve për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë kryengritjes, kthimin e të drejtës për mbajtjen e armëve e tjera