Sot bëhen 11 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.
Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje.
Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural.
Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).
Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.
Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të t cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektori të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.
Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.
Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE’së.