10 raste me tuberkulozë janë hospitalizuar dhe po trajtohen aktualisht në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Derisa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 108 raste me tuberkulozë në këtë klinikë, numër ky i njëjtë me po këtë periudhë të vitit të kaluar.
Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha në një intervistë për KosovaPress thotë se deri në qershor të këtij viti janë paraqitur 84 raste me tuberkulozë pulmonare, 20 me ekstrapulmonare dhe 4 të tjera me atë latete
Hoxha potencon se në Klinikën e Pulmologjisë aktualisht po trajtohen 10 raste me antituberkularë.
Ai tregon se që nga paslufta janë të furnizuar me barna për mjekimin e tuberkulozës.
Po ashtu, ai e shpreh si të nevojshme rritjen e numrit të infermierëve për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve.
Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.