​Zabërgja: Ndjenjë e papërshkrueshme të luaj për Kosovën
Sport
Lexohet për: 3 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të hënën seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e këtij muaji në UEFA Nations League, kundër Rumanisë, më 15 nëntor në Bukuresht, dhe kundër Lituanisë, më 18 nëntor në Prishtinë. Stërvitja e parë u mbajt në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku morën pjesë lojtarët që kishin përfunduar ndeshjet e fundjavës të shtunën, ndërsa futbollistët që kishin luajtur të dielën kryen rigjenerim.

Në këtë seancë stërvitore u përfshin: Visar Bekaj, Florent Muslija, Muharrem Jashari, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Fidan Aliti, Florent Hadërgjonaj, Andi Hoti, Baton Zabërgja dhe Art Smakaj. Këta dy të fundit, shprehën emocionet e tyre për përfshirjen në Kombëtare dhe shfaqën optimizmin për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni.

“Për mua është ndjenjë e papërshkrueshme sepse për çdo futbollist është ëndërr të arrijë të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Më vjen shumë mirë që e kam realizuar këtë ëndërr dhe shpresoj ta bëj maksimumin tash dhe në vazhdim që të bëj ndeshje sa më të mira me kombëtaren. Pritja ka qenë shumë e ngrohtë. I gjithë grupi është shumë i mirë dhe më ka pritur në mënyrë shumë të mirë. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë që të arrijmë rezultate pozitive në të ardhmen. Normalisht e dimë se Rumania ka qenë kundërshtari më i fortë në këtë grup, por duke pasur parasysh edhe lojtarët që ne i kemi, mendoj se mund të dalim me rezultat pozitiv nga Rumania”, tha Baton Zabërgja, i cili është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren A.

Ndërkaq, Art Smakaj shprehu kënaqësinë për përfshirjen e sërishme në Kombëtare pas miqësores me Norvegjinë: “Ndjenjë shumë e bukur të jesh me Kombëtaren. E kryem stërvitjen e parë dhe kemi punuar mirë. Na presin dy ndeshje të rëndësishme dhe jemi të gatshëm. Duhet të shkojmë në Rumani të luajmë lojën tonë, të tregojmë veten, dhe të kthehemi me tri pikë. I presim sa më shumë tifozët dardanë në këto dy ndeshje dhe ne do të provojmë të japim maksimumin për t’i kënaqur me performancë”, tha Smakaj.

Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë nesër në orën 11:00, në Kampin Nacional në Hajvali.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024