​Serbia e arrestoi sa për sy e faqe, terroristi Radojiçiq lirohet nga mbajtja
Lajme
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata në Beograd e ka liruar terroristin Millan Radoiçiq nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.

Sipas mediave serbe, atij i është ndaluar hyrja në Kosovë.

“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkaqe ligjore të parashikuara nga neni 211 paragrafi 1 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, d.m.th për shkak të rrezikut të arratisjes”, njoftoi Gjykata e Lartë në Beograd sipas mediumit danas.

Ndonëse krimineli Radojiçiq ëshët i kërkuar nga autoritet në Kosovë, gjykata në Serbi ka befasuar me vendimin e saj duke i ndaluar tij hyrjen në Kosovë.

“Të pandehurit M.R. i është caktuar masa e ndalimit të daljes nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e KA Kosovë e Metohi dhe është urdhëruar të paraqitet në stacioni policor kompetent çdo 1 dhe 15 të muajit”, thuhet në vendimin e gjykatës serbe.

Sipas mediave serbe, “i pandehuri M.R. akuzohet për kryerjen e veprës penale Prodhimi, mbajtja dhe trafikimi pa leje i armëve dhe lëndëve shpërthyese nga neni 348 paragrafi 4 dhe 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal në lidhje me veprën penale Pjesëmarrja në grup që kryen vepër penale nga neni 349 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit penal dhe vepra penale Vepra penale kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 288 paragrafi 2 në lidhje me nenin 278 paragrafi 1 të Kodit penal” të Serbisë.

Kujtojmë se ish-nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i SHBA-së dhe britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq, dje është ndaluar nga Administrata e Policisë Kriminale në Serbi dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ai pranoi publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, ku në Banjskë të Zveçanit mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe mbetën të vdekur dy të tjerë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024