Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrëvesve, janë diskutuar një sërë temash.
Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Bislimi në fund të takimit.Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.
“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët... për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.
Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.
Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.
Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.
Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.