​Osmani pret kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre..

Në këtë kontekst, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanci për paqe e prosperitet në rajon.

Sipas presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

Në takim u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024