Mbi vendin tonë gjatë javës së ardhshme pritet mot relativisht i ftohtë, me mëngjese të shoqëruara nga ngrica dhe mjegull nëpër ultësira. Pjesëmarrësit në komunikacion këshillohen të jenë të kujdesshëm për shkak të mundësisë së rrëshqitjeve në rrugë.
Ditën e hënë parashikohen vranësira të paqëndrueshme, të cilat lokalisht mund të sjellin fjolla bore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -4 deri në -1 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -2 deri në 2 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar.
Të mërkurën do të mbajë mot me intervale diellore dhe vranësira të shpërndara, ndërsa gjatë ditës vranësirat do të denden dhe priten reshje lokale shiu të përziera me borë.
Të premten do të mbajë mot i vranët me intervale të shkurtra diellore. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -9 deri në -4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga -2 deri në 2 gradë Celsius.
Era do të fryjë e lehtë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 metër për sekondë, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.