​Kurti takoi Sabotkan: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet e plotë, shpejt dhe pa kushtëzime
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar i Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka. Kurti tha me këtë rast se Marrëveshja bazë që derivon nga propozimi evropian, duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.

Në ditën që u mbajt për herë të parë konferenca “Vienna Economic Talks”, në Prishtinë, Kurti tha se sot ishte një ditë e veçantë për të meqë ditën e sotme e përmbylli me takimin me kryeparlamentarin austriak.

Bëhet e ditur se Kurti dhe Sobotka folën për procesin e dialogut dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus te takimi i javës së kaluar në Bruksel dhe Marrëveshja Bazike dhe Plani i Zbatimit sipas dakordimeve në Bruksel dhe Ohër.

Sipas komunikatës për media, i pari i ekzekutivit theksoi kontributin dhe angazhimin konstruktiv të Kosovës në të gjitha takimet dhe përgjatë gjithë procesit, si dhe rëndësinë që Marrëveshja Bazë, që derivon nga propozimi evropian, me përfshirje të drejtpërdrejt të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të zbatohet i plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.

“Në takimin që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen në çdo fazë të historisë së re të vendit dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të cilat janë të hershme dhe për të cilat angazhohemi që t’i forcojmë çdo ditë”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se gjatë bisedës, kryetari Sobotka, u njoh më hollësisht me përparimin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në dy vitet e fundit dhe me zhvillimet aktuale në vend.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bkonjufca-nese-dialogu-e-ka-cmimin-e-shkaterrimit-te-kosoves-atehere-mirupafshim/

“Kryetari Sobotka dha vlerësimin e tij pozitiv për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit”, thuhet po aty.

“Ata diskutuan edhe për fushat në të cilat, krahas vullnetit, ekziston edhe potenciali për bashkëpunim edhe më të thellë si ajo e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, mjedisit dhe projekteve infrastrukturore. Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, Sobotka konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Austrisë ndaj Kosovës në Këshillin e Evropës deri në anëtarësimin e plotë të saj”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana, shefi i stafit, Luan Dalipi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Daulina Osmani, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëresha Kryeziu Hyseni, këshilltarja politike, Zojë Surroi dhe asistentja ekzekutive e kryeministrit, Valë Gjonbalaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024