Në kuadër të aktiviteteve të Javës Olimpike 2026, më 3 qershor në Prishtinë u shënua Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit, me aktivitete të organizuara në Parkun e Qytetit.
Ky aktivitet solli në fokus lidhjen e ngushtë mes sportit dhe mbrojtjes së mjedisit, duke përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese për rëndësinë e një ambienti të pastër për zhvillimin e një jete të shëndetshme dhe aktive.
“Kjo ditë është tejet e veçantë për shkak se, nëse nuk kemi një ambient të pastër, nuk mund të kemi as sport të shëndetshëm dhe sportistë të shëndetshëm. Prandaj, mesazhi i këtij aktiviteti është që ta ruajmë ambientin, ta ruajmë për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë dhe për të gjithë sportistët të cilët kanë nevojë që aktivitetin e tyre fizik ta zhvillojnë në një ambient të pastër” – theksoi Krasniqi.
Ndërsa, Vjollca Krasniqi kryetarja e Komisionit, vuri në pah rëndësinë e përbashkët të sportit dhe mjedisit për të ardhmen e shoqërisë.Në anën tjetër, Iber Alaj drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrin e Rinisë dhe Sportit (MRS), theksoi nevojën për investime të reja në hapësira të gjelbëruara, duke propozuar krijimin e zonave të reja për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe mjedisore.
"Dita Botërore e Mjedisit është shumë e rëndësishme që ne t’i promovojmë iniciativat e tilla, por në të ardhmen kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të gjejë një vend të ri, jo në një park ku ka gjelbërim, po ta bëjmë një park tjetër të gjelbëruar apo një mjedis tjetër ku ka nevojë për investim. Besoj që edhe Komiteti Olimpik i Kosovës me buxhetin e tij solid, edhe me mbështetjen e Ministrisë, munden me bë edhe një pikë tjetër të mjedisit" – shtoi Alaj.