Klopp nis epokën te Gjermania me kërcënim për dorëheqje
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Klopp nis epokën te Gjermania me kërcënim për dorëheqje
Jurgen Klopp e ka nisur zyrtarisht aventurën si përzgjedhës i Gjermanisë, duke dërguar një mesazh të qartë për mediat se është i gatshëm të largohet nga posti nëse nuk respektohet privatësia e familjes së tij.
Ish-trajneri i Liverpoolit u prezantua të premten si pasues i Julian Nagelsmann, i cili dha dorëheqje pas eliminimit befasues të Gjermanisë nga Paraguai në 1/16 e finales së Kupës së Botës. Klopp ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, e cila do ta mbajë në krye të kombëtares deri pas Kupës së Botës 2030.
"Nëse silleni keq dhe nuk e lini familjen time të qetë, atëherë unë do të largohem. E dua këtë punë, por jam gjithmonë gati ta lë nëse është e nevojshme", deklaroi 59-vjeçari në konferencën e tij të parë për shtyp, duke shtuar se nuk planifikon një tjetër angazhim si trajner pas përfundimit të kësaj detyre.
Klopp e cilësoi drejtimin e kombëtares gjermane si kulmin e karrierës së tij në trajning. "Ky është niveli më i lartë që mund të arrij si trajner. Do të jap gjithçka që kam", u shpreh ai.
Gjermani rikthehet në stol për herë të parë që nga largimi nga Liverpooli në verën e vitit 2024, kur kishte deklaruar se i kishin "mbaruar energjitë". Ai tha se tani ndihet gati për këtë sfidë dhe se momenti për të marrë drejtimin e kombëtares është i duhuri.
Ndeshja e parë e Klopp në krye të Gjermanisë do të zhvillohet më 24 shtator, kur "Panzerët" do të përballen me Holandën në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
KosovaPress