​Kim Jong-un dërgon 100 mijë trupa në Rusi? "Dihet çfarë kërkon në këmbim"
Bota
Lexohet për: 3 min.
Kim Jong-un dërgon 100 mijë trupa në Rusi? "Dihet çfarë kërkon në këmbim"
Foto Arkivë
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Koreja e Veriut mund të dërgojë deri në 100 mijë trupa për të ndihmuar Rusinë në luftën ndaj Ukrainës nëse bashkëpunimi midis Phenianit dhe Moskës vazhdon të thellohet, sipas burimeve të njohura me vlerësimet e fundit të G20.

Kjo është vetëm një analizë e partneritetit në zhvillim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit veri-korean Kim Jong-un, thanë burime në kushte anonimiteti.

Ata theksuan se një zhvillim i tillë nuk është i pashmangshëm dhe se mbështetja ushtarake në këtë shkallë ka të ngjarë të ndodhë përmes rotacionit të trupave me kalimin e kohës, shkruan Bloomberg.

Vendimi i Kim për trupa ushtarake në Ukrainë ka alarmuar aleatët e Kievit, të cilët kanë paralajmëruar përkeqësimin e mëtejmë të luftës më të madhe në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ata besojnë se thellimi i bashkëpunimit Rusi-Kore e Veriut mund të ndikojë gjithashtu në balancën e sigurisë në rajonin Indo-Paqësor, ku ka një rivalitet në rritje midis Kinës dhe SHBA-së.

Çështja do të ngrihet nga disa aleatë në samitin  G20 në Brazil këtë javë, duke përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, kur ata të takohen me presidentin kinez Xi Jinping.

Scholz në një telefonatë të pazakontë të premten me Putin deklaroi se vendosja e trupave veri-koreane ishte një përshkallëzim i rëndë i luftës ndaj Ukrainës.

Kancelari gjerman do të bëjë presion ndaj liderit kinez në takimin e tyre në Rio të martën për të përdorur ndikimin e tij në Rusi dhe Korenë e Veriut për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës, sipas zyrtarëve gjermanë.

Angazhimi i Koresë së Veriut tregon se lufta po bëhet globale dhe se Scholz dhe Xi do të duhet të diskutojnë një dimension të ri të konfliktit.

Xi ka qenë aleati më i madh i Putinit dhe Kim në vitet e fundit dhe i sheh të dy liderët si partnerë në shtyrjen e rendit botëror të udhëhequr nga SHBA. Por qeveria e tij ka heshtur publikisht për dërgimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi - një shenjë se presidenti kinez mund të jetë i pakënaqur me marrëveshjen.

Partneriteti Kim-Putin mund të ushtrojë presion shtesë ekonomik mbi Kinën ashtu si Xi përgatitet për ndërprerje të mundshme nga tarifat e kërcënuara nga presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

Koreja e Veriut ka dërguar deri më tani mbi 10.000 trupa për të luftuar përkrah ushtrisë së Putin në Kursk të Rusisë, ku forcat ukrainase pushtuan një pjesë të territorit kufitar në gusht. Rusia nga ana e saj dërgon para dhe ndihmon Korenë e Veriut të rrisë aftësitë e saj në fusha të ndryshme.

Koreja e Jugut ka treguar se ka një shans të mirë që Koreja e Veriut të kërkojë transferimin e teknologjisë së avancuar nga Rusia – duke përfshirë teknologjinë që lidhet me armët bërthamore taktike, raketat balistike ndërkontinentale, satelitët e zbulimit dhe nëndetëset me raketa balistike.

Përveç fuqisë punëtore, Koreja e Veriut dërgoi në Rusi edhe miliona pjesë të municioneve artilerie dhe armë të tjera. Financial Times raporton duke cituar inteligjencën ukrainase, se Pheniani ka furnizuar Moskën me raketa me rreze të gjatë dhe sisteme artilerie.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024