Futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku, ka humbur jetën në një akisdent trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, pas pak mesnate, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur fillimisht përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë. Në njoftim thuhet se Bunjaku ka ndërruar jetë tragjikisht si pasojë e aksidentit, ndërsa familjarët kanë bërë të ditur se për kohën dhe vendin e varrimit do të njoftojnë më vonë.
Gjatë karrierës së tij, Fatjon Bunjaku veshi fanellat e disa skuadrave në Kosovë, Kroaci dhe Shqipëri. Ai hapat e parë në futbollin profesionist i bëri te Trepça, për të vazhduar më pas aventurën në Kroaci te Zmaj Makarska. Pas rikthimit në Kosovë, Bunjaku luajti sërish për Trepçën, ndërsa më pas ishte pjesë e Phoenixit, Lirisë, Gjilanit dhe Malishevës. Kapitullin e fundit të karrierës së tij e shkroi në Shqipëri me Elbasanin, klub me të cilin ishte i angazhuar.
Bunjaku së fundmi ishte pjesë e klubit AF Elbasani, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte qenë edhe pjesë e përfaqësueses Kosova U21.