Bota e futbollit është vënë në alarm pas raportimeve se talenti i jashtëzakonshëm i Lamine Yamal mund të përballet me një mungesë të gjatë për shkak të një dëmtimi serioz, që potencialisht mund ta lërë jashtë Kupës së Botës 2026.
Ylli i Barcelonës u dëmtua në ndeshjen ndaj Celta Vigos, ku katalanasit fituan 1–0. Yamal realizoi golin e vetëm nga penalltia që vetë e fitoi, por menjëherë pas ekzekutimit sinjalizoi stolin për një problem fizik dhe u rrëzua në tokë pa festuar. Ai u largua nga fusha para përfundimit të pjesës së parë, duke shkaktuar shqetësim të madh te tifozët dhe stafi teknik.
Testet mjekësore që pritet të kryhen në orët në vijim do të japin një diagnozë më të qartë për shkallën e dëmtimit dhe kohëzgjatjen e rikuperimit. Megjithatë, skenari që Yamal të mungojë në gjashtë ndeshjet e mbetura të sezonit është gjithnjë e më realist.
Mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për Barcelonën, e cila aktualisht kryeson garën në La Liga me nëntë pikë më shumë se Real Madridi. Edhe pse titulli duket pothuajse i sigurt, humbja e një lojtari kyç si Yamal mund të komplikojë fundin e sezonit, sidomos në ndeshje të rëndësishme si “El Clásico” i 10 majit.