​Gjyqtari kosovar i kërkon falje KF Gjilanit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Mervan Bejtullahu
5 orë më parë
Linku u kopjua

Gjyqtari i Superligës së Kosovës, Mervan Bejtullahu i ka kërkuar falje skuadrës së Gjilanit duke thënë se me vendimet e tij ka ndikuar direkt në rezultat e ndeshjes kundër Dukajginit që u mbyll me rezultat 0-0.

Ai ka thënë se nuk ishte ftuar nga dhoma e VAR-it dhe se nëse do të ndodhte kjo, ai do të merrte vendime të ndryshëm në dy raste për penallti.

Ky është shkrimi i plotë i Bejtullahut:

Përshëndetje të gjithë dashamirëve të futbollit,

Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar, mbi 17 vite në Kosovë dhe vitet e fundit edhe në arenën evropiane, ku kam pasur privilegjin të gjykoj ndeshje të rëndësishme, sot ndjej nevojën të bëj diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë: të kërkoj falje publike.

Analiza e thellë e videos nga ndeshja KF Dukagjini – SC Gjilani, e zhvilluar më 23 shkurt, ku unë isha referi kryesor, kam zbuluar dy gabime të rënda. Në minutën e 15-të dhe në minutat shtesë, kam neglizhuar dy penallti të qarta dhe të padiskutueshme në favor të Gjilanit.

Pavarësisht pamjeve të qarta dhe teknologjisë VAR, nuk jam thirrur për rishikim në asnjë prej këtyre rasteve. Jam plotësisht i bindur se, nëse do të më ishte dhënë mundësia të rishikoja pamjet, do të kisha akorduar të dyja penalltitë. Në rastin e pare nuk isha i bindur, ndërsa në të dytin pozicionimi im i largët për shkak të një kundërsulmi ndikoi në gjykimin tim. Megjithatë, kjo nuk e justifikon gabimin tim.

Kërkoj ndjesë të sinqertë ndaj klubit të SC Gjilanit, tifozëve-SKIFTERAVE dhe gjithë qytetit për këto gabime të paqëllimshme.

Dhe në fund unë ende nuk e di arsyen se pse VAR-i nuk më ftoi dhe në të dyja rastet vendosi në favor të ekipit të KF Dukagjinit.

Me sinqeritet të plotë, shpresoj që kjo ndjesë të shërbejë si një shenjë e pendesës sime të thellë. Unë i marr këto gabime shumë seriozisht dhe do të punoj vazhdimisht për të përmirësuar gjykimin tim dhe për të siguruar që standardet e arbitrimit të jenë sa më të larta në të ardhmen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025