Vazhdon gjyqi ndaj Fredi Belerit, në të cilin dy prokurorët e SPAK po lexojnë 18 faqe prova shkresore.
Gjatë seancës së radhës në procesin ndaj Belerit, SPAK i tha gjykatës se nga ekspertimi i telefonit të bashkëpandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi është zbuluar një grup në aplikacionin WhatsApp i quajtur “Himara ime je ti”.Por avokatët e Belerit i kundërshtuan leximet e SPAK-ut, dhe sipas tyre nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit dhe bisedat janë kryer më herët se sa të kryhej vepra penale, madje telefoni ka qenë në pronësi të nënës se Pandeli Kokaveshit – pretendoi mbrojtja. Gjyqi po vazhdon, raporton Top Channel.
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, u arrestua për blerje votash më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve bashkiake. Sipas autoriteteve, Beleri u arrestua në bazë të përgjimeve që zbuluan se një person i tretë do t'i jepte një listë me emrat e atyre që do ta votonin nëse do t'i paguante 45 euro.Beleri mohon të gjitha akuzat ndaj tij dhe thotë se arrestimi i tij është një organizim i motivuar politikisht, një qëndrim i mbështetur nga Athina.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias dënuan arrestimin dhe thanë se nëse Beleri nuk lirohet, ata potencialisht do të bllokonin rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Mosmarrëveshja e fundit ndodh në kuadrin e marrëdhënieve të vakëta mes dy vendeve. Në maj 2022, Dendias kërcënoi se do të tërhiqte mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nëse ajo ndiqte çështjen e Çamërisë.
Për më tepër, çështja e përcaktimit të shelfit kontinental dhe kufijve detarë mbetet e pazgjidhur dhe është dërguar në një gjykatë ndërkombëtare, me thashethemet që qarkullojnë se Athina bëri kërcënime të ngjashme lidhur me pranimin në BE.
Komisioni, megjithatë, nuk komentoi kërcënimet e Athinës për të bllokuar në mënyrë të njëanshme ofertën e Shqipërisë për anëtarësim në bllok.