Në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, Gashani, ka bërë homazhe, duke vendosur lule të freskëta pranë shtatores së tij.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, ministri ka ndarë kujtimet dhe emocionet për figurën e Vokrrit, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme në historinë e sportit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Ai ka rikujtuar edhe një shkrim të mëhershëm kushtuar Vokrrit, duke theksuar se ende e kujton si të gjallë figurën e tij dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha për futbollin dhe vendin.
Në mesazhin e tij, ministri e përshkruan Vokrrin si heroin e fëmijërisë së shumë brezave dhe si njeriun që ngriti në këmbë stadiumet, duke mbushur zemrat e qytetarëve me krenari. Ai ka vënë në pah edhe rolin kyç të Vokrrit në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e cilësuar atë si një moment historik për sportin kosovar.Në fund, ai ka theksuar se Fadil Vokrri do të mbetet përjetë pjesë e historisë dhe krenarisë së Kosovës, duke lënë një trashëgimi të pashlyeshme për brezat që vijnë.
KosovaPress