Phil Foden ka rinovuar kontratën me Manchester Cityn, duke nënshkruar një marrëveshje të re katërvjeçare, me opsion zgjatjeje edhe për 12 muaj, që do ta mbajë në “Etihad” deri në vitin 2030.
Mesfushori ofensiv 26-vjeçar u shpreh i lumtur që do të vazhdojë karrierën te klubi ku është rritur si futbollist, duke theksuar se synimi mbetet fitimi i trofeve të tjerë.
Ai gjithashtu mirëpriti rikthimin e Enzo Marescës në krye të Manchester Cityt, duke kujtuar bashkëpunimin e tyre gjatë sezonit të tripletës në vitin 2022-23, kur italiani ishte ndihmës i Pep Guardiolës.
“Mezi pres të punoj sërish me Enzon. Ai ishte fantastik gjatë sezonit të tripletës dhe të gjithë lojtarët e respektonin. Rikthimi i tij është shumë emocionues dhe besoj se do të vazhdoj të përmirësohem”, shtoi ai.Foden pranoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të qëndronte kaq gjatë te Manchester City.
“As në ëndrrat e mia nuk do ta mendoja këtë. Synimi im ishte vetëm të arrija në ekipin e parë, ndërsa fakti që kam kaluar kaq shumë vite këtu është një ëndërr e bërë realitet”, u shpreh ai.
KosovaPress