Sulmuesi i talentuar kosovar, Fisnik Asllani, mbetet një nga emrat më të përfolur në listën e transferimeve të Borussia Dortmund për këtë verë.
Sipas raportimeve të fundit nga media gjermane, Bild, drejtuesit e klubit verdhezi po e shqyrtojnë seriozisht mundësinë e transferimit të 23-vjeçarit nga Hoffenheimi. Asllani shihet si një opsion i rëndësishëm për repartin ofensiv, veçanërisht në rast se njëri nga sulmuesit aktualë, Serhou Guirassy ose Karim Adeyemi, largohet gjatë merkatos verore.
Për momentin, qëndrimi i Guirassy dhe Adeyemi e komplikon një transferim të menjëhershëm. Por nëse njëri prej tyre largohet, Dortmundi mund të reagojë shpejt dhe të konkretizojë afrimin e Asllanit.
Forma e mirë e sulmuesit në muajt e fundit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve. Pas një periudhe të suksesshme huazimi te Elversberg, ku spikati me gola dhe asistime, ai ka vazhduar zhvillimin pozitiv edhe te Hoffenheimi, duke u bërë pjesë e rëndësishme e tregut ndërkombëtar të transferimeve.Ndërkohë, garës për shërbimet e tij i është bashkuar edhe Leipzig, duke e bërë situatën më të ndërlikuar për Dortmundin. Një element në favor të Dortmundit mbetet lidhja e fortë e Asllanit me drejtuesin aktual sportiv, i cili e njeh mirë lojtarin që nga koha e tij te Elversberg.
E ardhmja e Fisnik Asllanit mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt, ai është një nga emrat më të përfolur të kësaj vere në Bundesligë.