​FIFA korrigjon raportin e finales së Botërorit, “zhduket” kartoni i kuq i Paredesit
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​FIFA korrigjon raportin e finales së Botërorit, “zhduket” kartoni i kuq i Paredesit
paredes
21/07/2026 - 11:49
Linku u kopjua

FIFA ka sqaruar se mesfushori argjentinas Leandro Paredes nuk është ndëshkuar me karton të kuq pas finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës, duke bërë të ditur se informacioni i publikuar fillimisht në sistemin e saj për komentatorët ishte rezultat i një gabimi teknik.

Pas triumfit të Spanjës me rezultat 2-1 pas vazhdimeve në finalen e zhvilluar në New Jersey, u përhap lajmi se Paredes ishte përjashtuar me karton të kuq pas vërshëllimës përfundimtare, pas përfshirjes në incidentet mes lojtarëve të të dyja skuadrave.

Megjithatë, sipas sqarimit të publikuar nga gazetari Dale Johnson, FIFA e kishte shfaqur gabimisht këtë informacion në sistemin e saj të brendshëm për komentatorët dhe më pas e kishte fshirë atë.

“Nuk ka pasur karton të kuq të anuluar, sepse karton i kuq nuk është dhënë fare. Informacioni u shfaq gabimisht në sistemin e FIFA-s dhe më pas u hoq”, ka shkruar Johnson në platformën X.

Paredes ishte përfshirë në përleshjet që shpërthyen pas përfundimit të ndeshjes, ku pamjet televizive e shfaqën duke u konfliktuar me mbrojtësin e Spanjës, Eric Garcia, si dhe me mesfushorin Gavi.

Në incidentet e pasndeshjes u përfshinë edhe futbollistë dhe anëtarë të tjerë të delegacionit argjentinas. Pamjet treguan Nahuel Molinan duke goditur Rodrin, ndërsa ndihmëstrajneri Roberto Ayala u pa duke u konfliktuar me Dani Olmon.

FIFA ka nisur një hetim disiplinor për ngjarjet e ndodhura pas finales. Sipas organit qeverisës të futbollit botëror, një prokuror disiplinor dhe etik do të analizojë incidentet për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të Kodit Disiplinor.

Në rast se konstatohet sjellje e dhunshme, Kodi Disiplinor i FIFA-s parasheh pezullim minimal prej tri ndeshjeve për lojtarët ose zyrtarët e përfshirë, ndërsa Federata Argjentinase e Futbollit mund të përballet edhe me masa disiplinore apo gjoba.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026