Bellingham: Rodrygo është futbollisti më i talentuar te Reali
Sport
Lexohet për: 2 min.
Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham ka lavdëruar paraqitjen e Rodrygos në fitoren e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.
Kylian Mbappe shënoi një hat-trick teksa Reali mposhti Cityn 3-1 për të kaluar në raundin e 16-të me rezultat të përgjithshëm 6-3 .
“Rodrygo është shumë i nënvlerësuar. Për mua ai është lojtari më i talentuar në ekip. Gjërat që ai mund të bëjë me topin... Unë shoh se çfarë bën dhe mendoj 'si ia del ai?' Nëse do të provoja do ta ndrydhja kyçin e këmbës, është kënaqësi të luaj me të, mendoj se është ai që sakrifikon më shumë”, ka thënë Bellingham.
"Ne të gjithë e dimë se pozicioni i tij i preferuar është e majta. Ai bën shumë për ekipin nga e djathta edhe pse nuk është pozicioni i tij i preferuar. Ai kurrë nuk ankohet", vazhdoi anglezi, përcjellë KosovaPress.
Për Mbappe, Bellingham gjithashtu tha: "Të gjithë e dinë se ai është i veçantë. Fillimi i tij ishte i vështirë, shumë presion në një ekip të ri. Ai është në një nivel tjetër”, ka përfunduar ai.