Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur drejtuesit e klubeve që siguruan promovimin në kategoritë më të larta të garave të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke i uruar për suksesin e arritur.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ademi vlerësoi se promovimi i këtyre klubeve është fryt i punës së palodhur, përkushtimit të vazhdueshëm dhe organizimit profesional të tyre ndër vite.
Në Superligë janë promovuar Vushtrria dhe Feronikeli 74, ndërsa në Ligën e Parë Mitrovica dhe Lepenci. Në Ligën e Dytë janë ngjitur Dardana 10 dhe Istogu 03, derisa në Superligën e Futsallit promovimin e kanë siguruar Policia dhe Rahoveci. Ndërkaq, në Superligën e Vajzave është promovuar 2 Korriku.
Ademi theksoi se këto arritje dëshmojnë se puna, organizimi dhe vizioni sportiv shpërblehen gjithmonë me sukses, duke u shprehur i bindur se klubet e promovuara do të vazhdojnë të forcojnë organizimin e tyre, të kontribuojnë në zhvillimin e kampionateve cilësore dhe në avancimin e futbollit e futsallit në Kosovë.KosovaPress