Më 2 shkurt 2007 emisari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.
Kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se diplomati finlandez do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa e përmendur fjalën pavarësi.
Sipas Ahtisaarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.
Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive dhe anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.Një element i rëndësishëm i marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente vendore në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Plani i Ahtisaarit gëzoi asokohe mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.
Më 26 mars, Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.
“Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht pas planit të Ahtisaarit do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes”, pati deklaruar Sejdiu.
Ndërsa, Çeku- kreu i ekzekutivit kosovar atëkohë pat theksuar: “Letra propozon pavarësi për Kosovën të mbikëqyrur në fazën e parë që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.
Pikëpamjet e ndryshme të palëve ndaj planit Ahtisaari çuan në dërgimin e një misioni fakt-mbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për detyrë shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit Ahtisaari.
Delegacioni nisi vizitën e tij më 27 prill për ta përfunduar me vlerësimet e tij që do t’i paraqiteshin Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm, pavarësisht insistimit të përkrahësve të planit Ahtisaari, nuk arriti të gjejë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Të pasuksesshme rezultuan edhe bisedimet Prishtinë – Beograd, të zhvilluara deri në dhjetor 2007, nën ndërmjetësimin e “treshes” ndërkombëtare, e përbërë nga amerikani Frank Wisner, gjermani, Wolfgang Ischinger dhe rusi Alexander Botsan-Kharcenko.
Më 17 shkurt 2008, Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke e shpallur në koordimin me bashkësinë ndërkombëtare veten shtet i pavarur.