Marco Reus ka njoftuar se ai do të largohet nga Borussia Dortmundi këtë verë kur edhe i skadon kontrata e tij.
Fituesi i Kupës së Botës ka qenë lojtar kyç për Dortmundin gjatë 12 viteve të tij me klubin, raporton KosovaPress.Sidoqoftë, në moshën 34 vjeçare, Reus ka vendosur që të largohet nga klubi për të gjetur më shumë minutazhë te një klub tjetër.
Gjatë kohës së tij në Dortmund, Reus luajti një rol të rëndësishëm në ecurinë e klubit deri në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2013, si dhe në arritjen e dy triumfeve të DFB Pokal, një herë si kapiten në vitin 2021.
Mesfushori sulmues 34-vjeçar do të mbahet mend përgjithmonë si një nga lojtarët më të mëdhenj të Dortmundit. Deri më sot, Reus ka luajtur mbi 420 ndeshje për Dortmundin, duke shënuar 168 gola dhe duke asistuar në 128 raste të tjera.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe krenar për këtë kohë të veçantë në klubin tim Borussia Dortmund. Kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në këtë klub dhe kam shijuar çdo ditë, edhe pse sigurisht që ka pasur edhe momente të vështira. Tashmë e di që do ta kem të vështirë të them lamtumirë në fund të sezonit. E megjithatë jam i lumtur që tani ka qartësi dhe që mund të fokusohemi plotësisht në ndeshjet e fundit shumë të rëndësishme që duhet të luajmë. Ne kemi një objektiv të madh në synimet tona që të gjithë duam ta arrijmë së bashku. Për ta bërë këtë, ne do të kemi nevojë për secilin prej fansave tanë të pabesueshëm, të cilëve do të doja të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për mbështetjen e tyre të pabesueshme ndër vite”, tha Reus.