Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar listën e saj zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar atë si “listë fituese” dhe përfaqësuese të vizionit për Republikën.
Sipas deklaratës së LDK-së, lista përbëhet nga 110 kandidatë që përfaqësojnë, siç thuhet, idenë për një Kosovë me dinjitet, institucione të forta, zhvillim ekonomik dhe aleanca të fuqishme perëndimore.

“110 kandidatë. 110 përfaqësues të një ideje për Republikën; të një Republike me dinjitet, me institucione të forta, me zhvillim, me aleanca të palëkundura perëndimore dhe me njerëz në qendër të saj”, thuhet në njoftim.
Nga kjo parti kanë vlerësuar se lista bashkon përvojën politike me energjinë e re, duke përfshirë profesionistë, akademikë dhe përfaqësues nga diaspora e të gjitha trevave të Kosovës.Tutje, partia opozitare ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar 7 qershorin si “ditën e ringritjes së madhe”.
Sonte deri në orën 24:00 është afati i fundit për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë në KQZ. Zgjedhjet parlamentare mbahen më 7 qershor.