Zyra e BE-së dhe Qeveria ndanë 45 bursa për studimet master në shtete të BE-së
Lexohet për: 3 min.
Zyrja-e-BE-070323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Zyra e BE-së dhe Qeveria e Kosovës kanë ndarë 45 bursa për studime master në shtete të BE-së, për të sapodiplomuar dhe nëpunës civilë. Me këtë rast, u tha se përmes këtij programi, studentët kanë mundësinë që pas kthimit të punojnë në Administratë Publike në Kosovë.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se pret me padurim kthimin e këtyre studentwve në Kosovë, pasi sipas tij Administrata Publike ka nevojë për njohuritë dhe kapacitetet që kanë të rinjtë.

“Administrata Publike ka nevojë për njohuritë dhe kapacitetet tuaja. Ka shumë pozita të lira në administratë për momentin dhe shpresoj  se do të gjeni një vend pune interesante që përputhet me studimet tuaja. Deri më tani mbi 400 studentë kanë përfunduar këtë program dhe me nga 2/3 e granteve, fituesve janë femra. Shpresoj se fuqizimi i femrës, posaçërisht i komuniteteve pakicë do të vazhdojë në të ardhmen”, tha Szunyog.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se studentët përfitues të kësaj burse do të përfitojnë njohuri dhe specializimin e nevojshëm akademik për t’u kthyer më pas në Kosovë që të japin kontributin e tyre në institucionet publike të vendit.

Eksperti i programit YCS, profesor Nikos Panagiotou tha se ka qenë sfidë e vështirë dhe e rendë në përzgjedhjen e kandidatëve për shkak të cilësisë tyre. Derisa shtoi se përmes këtij projekti Evropa tregon solidaritetin dhe mbështetjen e saj për Kosovën.

“Prej fillimit kur kemi pas këtë projekt ka qenë një mundësi që jo vetëm të mundësojmë diçka për gjeneratën e re por përmes një koalicioni më të gjerë të ndërtojmë raporte afatgjate. Është diçka unike, sepse përfshin sfidë e cila ka pas nevojë që të trajtohet, pra sfida ka qenë si t’i përfshijmë të rinjtë që të nxjerrim më të mirën nga ata. Personat që janë përzgjedhur përfaqësojnë më të mirët e një numri të madh talentesh që ekzistojnë në Kosovë, ka qenë një sfidë shumë e vështirë dhe e rendë si në aspekt të kohës për shkak të cilësisë së kandidatëve dhe presim me padurim që të përfshijmë më shumë njerëz në këtë projekt. Është një projekt shumë i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë Evropa tregon solidaritetin dhe mbështetjen e saj për Kosovën, në mënyrë që të modernizojë Administratën Publike të saj”, tha Panagiotou.

Ambasadorja e Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali tha se të rinjtë e kësaj skeme do t’i kontribuojnë marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Greqisë.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se ky është një prej projekteve më të rëndësishme që është zbatuar në vitet e fundit në Kosovë.

Vesa Bujupaj, njëra nga studentet e përzgjedhura për këtë bursë është shprehur e lumtur me mundësinë e ofruar. Porse, sipas saj ky program duhet të zgjerohet duke përfshirë edhe drejtime të tjera.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024