Drejtori sportiv i FC Drita, Valon Zymberi, ka folur për raportin me trajnerin Zekirija Ramadani dhe mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes palëve edhe për vitet e ardhshme.
Në emisionin “SportCast”, Zymberi theksoi se besimi i klubit ndaj Ramadanit është i palëkundur, duke vlerësuar punën e përbashkët dhe sukseset e arritura deri më tani.
“Besimi ndaj trajnerit është i palëkundur te ne. Nganjëherë në fillim është shumë me rëndësi, domethënë në vitet e para ndoshta çështja kontraktuale, letrat janë shumë me rëndësi sepse vjen një trajner në një ambient ku nuk e njeh mjaft mirë edhe dëshiron të ketë një bazë të fortë... Trajneri ka afat, ka kontratë me klubin edhe për vitin e ardhshëm, andaj nganjëherë ndoshta një kafe e mëngjesit me të edhe vazhdon rrugëtimi. Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur, sikurse edhe trajneri Zeka në çdo prononcim të tij ka treguar që momentalisht është në klubin e tij më të mirë që ka udhëhequr ndonjëherë edhe ai është shumë i kënaqur me punën tonë që ne e kemi bërë edhe me punën që e kemi të përbashkët. Andaj mendoj që dashtë Zoti me vazhduar edhe shumë, shumë vite bashkë sepse e kemi gjetur atë formulën e suksesit bashkarisht”, theksoi Zymberi në “SportCast”
Ai shtoi se bashkëpunimi mes klubit dhe trajnerit është ndërtuar mbi besim dhe stabilitet, duke lënë të kuptohet se vazhdimi i rrugëtimit të përbashkët mbetet prioritet për të dyja palët.