Zymberi i Dritës konfirmon interesimin për yllin e Ballkanit, paralajmëron merkato të bujshme
Lexohet për: 6 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Mbetja jashtë garës për titull pak javë para përfundimit të këtij edicioni garues në Superligën e Kosovës, po cilësohet si një dështim për klubin e futbollit Drita, por kjo skuadër ka siguruar tashmë daljen në garat evropiane, si dhe do të luajë ndaj Llapit në finale e Kupës së Kosovës.

Skuadra e trajnerit, Ardian Nuhiu është gjithashtu ende në luftë me rivalin e qytetit “Gjilanin”, për vendin e dytë në tabelë para ndeshjeve të xhiros së fundit që zhvillohen sot.

Në një intervistë për KosovaPress, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi pranon se Ballkani u tregua skuadër më kompetitive në këtë sezon, derisa numëron faktorët që ndikuan që Drita të mbetet prapa në luftën për më të mirin e futbollit kosovar.

“Ajo pse ne ndoshta kemi ngecur mbrapa janë shumë faktor që na kanë përcjellë gjatë këtij kampionati duke pasur parasysh ne që nga dita e parë kur jemi nisur në garë për titull kemi pasur parasysh që ndryshimi i skuadrës, ndryshimi i një gjenerate kemi paraparë që mund të na sjellë problem, mund t’i kemi ato uljet dhe ngritjet e performancës së ekipit. Gjithsesi edhe ndoshta përcjellja e disa lëndimeve më shumë se sa që i kemi menduar, po ashtu ndoshta edhe një merkato e varfër në afatin e janarit dhe krejt këto kur I mbledhim kanë bërë që Drita ndoshta të ngec mbrapa Ballkanit dhe kështu Ballkani të shpallet kampion”, tha fillimisht Zymberi.

Ende pa u mbyllur mirë sezoni, Drita është vënë në qendër të vëmendjes së mediave sa i përket shitblerjes së lojtarëve. Shumë yje të Superligës së Kosovës, po lidhen me këtë klub, por Zymberi demanton të gjitha këto spekulime, derisa shton se kjo po ndodh për shkak se emri Drita është shumë i madh për futbollin kosovar.

“Jam befasuar me intensitetin kaq të lartë të spekulimeve sepse nuk befasohem asnjëherë kur gjithmonë target i portaleve apo i mediave është emri Drita sepse emri Drita mendoj që është shumë i madh për futbollin kosovar dhe vetëm ky emër mund të jetë atraksion për lexuesit dhe shikuesit, për klikimet andaj nuk e shoh kaq shumë ta arsyeshme të spekulohet sepse ne edhe si kryesi por edhe si staf teknik jemi të përqëndruar te ajo finale ku shpresojmë dhe jemi të fokusuar 100 përqind që atë finale dhe atë trofe ta sjellim në Gjilan…A ka negociata, sigurisht që ka. A ka takime të ndryshme me ata që mendojmë që ndoshta i kemi bo, sigurisht që po jo edhe zyrtarizime apo diçka tjetër sepse thash që jemi të fokusuar te ajo pjesë”, theksoi Zymberi.

Ylli i Ballkani, Blendi Baftiu është emri që është lidhur me një kalim te Drita. Zymberi konfirmon për KosovaPress se ata janë të interesuar për shërbimet e tij, madje kanë provuar ta marrin atë edhe në afatin kalimtar të janarit.

“Absolutisht nuk është diçka që ne e kemi mohuar, madje përkundrazi ne kemi qenë të interesuar shumë për Blendin edhe në afatin e janarit por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur për faktin sepse Blendi ka qenë i lidhur me Ballkanin edhe për gjashtë muajtë e ardhshëm dhe e kemi respektuar edhe në këtë rast ekipin e Ballkani por sigurisht edhe Blendin dhe kontratën të cilën ata e kanë. Andaj sigurisht ne kemi pasur bisedime me presidentin e klubit të Ballkanit nëse është e mundur për një lëvizje, nuk ka qenë e mundur, e kemi respektuar. Sigurisht, jo vetëm për Blendin por për çdo lojtar i cili ka nivel nga ana e stafit tonë dhe nga ne padiskutim që nëse është e mundur ne do të bëjmë përpjekje që ta ofrojmë në ekip”, tha Zymberi.

Një problem i madh që po i përcjellë tash e sa vite dy skuadra e këtij qyteti, Dritën dhe Gjilanin, është mungesa e një stadium që plotëson së paku kriteret minimale për zhvillimin e ndeshjeve. Punimet në ndërtimin e stadiumit vazhdojnë të zvarriten pafundësisht, por Zymberi thotë se së fundi kanë marrë lajme të mira nga ministri i sportit, Hajrulla Çeku.

“Është kjo gjendje e keqe tash e shumë vite, jo për faji ndoshta të komunës sa është për fajin ndoshta të ministrisë për shkak se punimet kanë vazhduar jo në mënyrë të rregullt, sipas informacioneve që kemi në takimet e fundit që i kemi pasur me kryetarin e komunës. Por që këto ditë na kanë dhënë një fije shpresë që ministri Çeku në një takim ish prononcu që e kanë prioritet stadiumin e Gjilanit dhe stadiumin “Adem Jashari”, andaj po shpresoj shumë që kjo mos të jetë vetëm një deklaratë apo vetëm një bisedë e çastit, por të jetë shumë seriozisht e paraparë nga ministria po edhe nga qeveria aktuale sepse vërtetë është shumë e dëmshme që dy ekipe të cilat po marrin pjesë në Evropë mos t a kenë një stadium me kritere minimale të paktën”, tha më tutje Zymberi.

Krejt në fund, drejtori sportiv i Dritës ngre alarmin se futbolli kosovar nuk po kalon momentet më të mira sa i përket aspektit financiar, pasi që shumë skuadra janë futur në krizë të thellë për shkak të borxheve të mëdha, një problem ky që për fat të mirë ende nuk ka prekur klubin ku ai bën pjesë.

“Është për keqardhje situate nëpër të cilën po kalon Prishtina por ndoshta edhe disa ekipe tjera në këtë rast siç ka qenë edhe Feronikeli, një ekip shumë i mirë. Nuk është ndoshta në momentet më të mira futbolli kosovar  për shkak të gjendjes financiare sepse i vetmi burim për financim të klubeve  është direkt nga donatorët, direkt nga pronarët e klubeve…Te klubi Drita mendoj që deri më tani, siç e keni parë edhe ju gjithçka ka qen ok në aspektin financiare falë dy pronarëve të klubit Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku të cilët deri më tani jashtëzakonisht mbrapa klubit me çdo gjë që është planifikuar dhe me çdo gjë që e kemi hartuar para vetes”, tha Zymberi.

Duke mos zbuluar emra, Zymberi ka thënë gjithashtu se në zyret e klubit ka disa oferta nga klube të ndryshme evropiane për yjet e Dritës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024