Zviceranët ‘super’ të pasur kërcënojnë të largohen për shkak të taksës së trashëgimisë
Lexohet për: 4 min.
zvicraa
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Zvicër po zhvillohet një debat i ashpër për taksën në trashëgiminë e ‘super’ të pasurve, shkruan Bloomberg.

Multimilionerët dhe miliarderët po kërcënojnë të shpërngulen për shkak të një propozimi sipas të cilit banorët me trashëgimi me vlerë mbi 50 milionë franga (53.1 milionë euro) të paguajnë 50 për qind taksë për shumën mbi këtë kufi.

Në një sondazh të qershorit nga firma e auditimit PwC, dy të tretat e pronarëve të bizneseve, trashëgimtarët e të cilëve mund të prekeshin nga taksa e re, thanë se po konsideronin transferimin paraprak të aseteve të tyre tek anëtarët e tjerë të familjes. Më shumë se gjysma thanë se po mendonin të largoheshin jashtë vendit.

Zvicra aktualisht nuk ka taksë mbi trashëgiminë në nivel shtetëror. Disa kantone kanë një taksë të tillë, por bashkëshortët dhe fëmijët, vija e parë e trashëgimisë, përjashtohen në shumicën e rasteve. Shkalla e tatimit mbi trashëgiminë në disa kantone është maksimumi 3.5 për qind.

Kundërshtarët e propozimit, përveç rrezikut që të pasurit thjesht të largohen, shohin edhe rrezikun e dëmit ekonomik.

Ata paralajmërojnë se taksa e propozuar është aq e lartë sa trashëgimtarët e kompanisë do të duhet të shesin asetet për të paguar për të. Kjo do të rrezikonte vendet e punës, veçanërisht nëse blerësi do të ishte i huaj, pasi nuk do të kishte gjasa që ai të mbante prodhimin në Zvicrën e shtrenjtë.

Stefan Legge, kreu i Departamentit të politikave tatimore dhe tregtare në Universitetin e St. Gallen, tha për Bloomberg se më të pasurit nuk janë të gatshëm të paguajnë këtë taksë dhe paralajmëroi për natyrën kundërproduktive të propozimit. Humbja e të ardhurave për shkak të emigrimit të banorëve ‘super’ të pasur do të duhej të kompensohej me rritjen e taksave për pjesën tjetër.

Taksa u propozua nga rinia e socialdemokratëve - Juso, e cila propozon që shteti të përdorë të ardhurat nga kjo taksë për të financuar masat për zgjidhjen e krizës klimatike.

"Më të pasurit përfituan nga sistemi ekonomik që shkaktoi krizën klimatike, kështu që ata duhet të paguajnë më shumë se anëtarët e tjerë të shoqërisë për të luftuar pasojat," tha Mirjam Hostetmann, presidente e Juso, e cila mblodhi 100 mijë nënshkrime për referendumin kombëtar.

Zviceranët duhet ta votojnë propozimin pas rreth dy vjetësh dhe parlamenti do ta debatojë ende. Qeveria e kundërshton propozimin.

Ndryshe, ideja për taksim më të lartë të ‘super’ të pasurve nuk po ndodh vetëm në Zvicër. Qeveritë në mbarë botën po mendojnë se si të mbledhin më shumë nga më të pasurit për të ndihmuar në drejtimin e deficiteve të mëdha dhe financimin e shërbimeve publike. Kudo ka paralajmërime se masa të tilla do të çojnë në largimin e ‘super’ të pasurve dhe humbjen e investimeve.

Për shembull, Britania e Madhe po i jep fund lehtësimit të taksave për jo-rezidentët me të ardhura të larta dhe Spanja ka futur një taksë të përkohshme mbi pasurinë për të paguar programet e mirëqenies në një kohë inflacioni të lartë.

Brazili, i cili këtë vit kryeson G20, propozoi një taksë globale për më të pasurit, por mendimet e vendeve ndryshuan. Ndër kundërshtarët ishin SHBA-të, shkruan Bloomberg.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024