Përkundër që Gjykata Themeloren ka vendosur për pezullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) ende nuk ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.
Kjo e fundit ka paraparë ta ankimojë në Apel vendimin e gjykatës, dhe të vazhdojë aplikimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, ashtu sikur që është bërë prej 9 shkurtit e këndej.
Yll Zekaj, menaxher i programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD) thotë për KosovaPress, se ZRrE-ja nuk mund të inkasojë më tarifat e reja për kohën e ardhshme deri në një vendim meritor.
“Varet prej veprimeve të tyre, por çdo veprim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, është edhe vepër penale. Kështu që nuk e besoj që ZRRE-ja do të hynë në domenin penal, duke pasur parasysh që sfera penale kalon te personi juridik përveç personave fizik që bien ndesh me ligjin, bien edhe personi juridik, kështu që çdo mos respektim i gjykatës është vepër penale. Nuk e besoj që do të hynë ne sferën penale ZRRE, besoj që do ta respektojë vendin e gjykatës secili person fizik dhe juridik obligohet që të zbatojë vendimin e gjykatës. Me këtë rast edhe ZRRE-ja, ka mjetin juridik që është ankesa për të ankimuar këtë masë dhe pastaj është gjykata e shkallës së dytë përkatësisht Gjykata e Apelit me një vendim meritor në lidhje me masën derisa të trajtohet padia dhe forma meritore e vendimmarrjes për vendimin e ZRRE-së se i njëjti ka qenë i ligjshëm apo jo”, thekson ai.
“Me lejoni t’iu informoj se ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L - 006) do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim.Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thotë në një përgjigje me shkrim drejtori menaxhues në ZRrE, Petrit Pepaj.
Yll Zekaj nga IKD, thotë se vendimi i ZRRE-së i miratuar më 8 shkurt nuk prodhon efekt juridik, derisa ekziston masa në fuqi.
Ai shtoi se ZRrE-ja e ka të drejtën e ankimimit në Apel, por kjo ankesë sipas tij, nuk e ndalon ekzekutimin e masës.
“ZRRE-së i lejohet mjeti juridik që është ankesa kundrejt këtij vendimi, por ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e masës. Masa është në fuqi dhe masa si e tillë e ndalon efektin juridik të vendimit derisa të vendoset, nëse eventulioasht ZRRE shtron ankesë, nëse shkalla e dytë e shfuqizon këtë masë apo e len në fuqi masën dhe kështu që kjo masë mbetet në fuqi derisa të vendoset në mënyrë meritore nga ana e gjykatës nëse vendimi i ZRRE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundër ligjshëm”, thekson ai.
“Tani në këtë moment kemi vetëm masë për veprimin e mëtutjeshëm, ZRRE nuk mund të inkasojë me tarifat e reja për kohën e ardhshme, kurse për dëmtimin e qytetarëve, nëse del që vendimi i ZRRE-së ka qenë i kundërligjshëm ajo (kompensimi) duhet të bëhet pas një shqyrtimi të padisë, pas marrjes së vendimit meritor nga ana e gjykatës. Pra, nëse kemi një konfirmim nga ana e gjykatës që vendimi ka qenë i kundërligjshëm, duhet të kompensohet i gjithë ai inkasim që është bërë me tarifa të larta, qoftë përmes kompensimit në faturat e ardhshme apo në mënyrat tjera që do t’i gjen ZRRE-ja për mënyrën e kompensimit të qytetarëve”, deklaron ai.
Ndërkaq, se a do t’i aplikojë tarifat e reja KEDS-i edhe për muajin prill, përkatësisht nga 9 prilli kur është marrë vendimi i Themelores, zyrtarë të saj, kanë thënë për KosovaPress, se kjo kompani është ekzekutive dhe lidhur me këtë çështje ZRrE-ja, është institucion vendimmarrës në sektorin e energjisë.
“KEDS është kompani ekzekutive. Lidhur me vendimet iu lutem drejtojuni ZRRE-së si rregullator dhe institucion vendimmarrës në sektorin energjetik, duke përfshirë edhe çështjet që ju i apostofoni”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për KosovaPress.
Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku kërkon që vendimi i gjykatës duhet respektohet nga ana e ZRrE-së.
Përndryshe, më 8 shkurt të këtij viti bordi i ZRrE-së kishte marrë vendim që nga 9 shkurti 2022 t’i shtrenjtojë tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që harxhojnë më shumë se 800 kilovat në orë. 12.5 cent për tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.