Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar të shtunën ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever për ofrimin e shërbimeve energjetike.
Sa i përket kësaj marrëveshje, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Ndërkaq, analisti Gazmir Raci ka vlerësuar se me këtë marrëveshje, serbët në katër komunat me shumicë serbe obligohen të paguajnë rrymën e shpenzuar.
Ai thekson për KosovaPress se nga kjo marrëveshje zgjidhet përfundimisht edhe qasja e autoriteteve të Kosovës në trafostacionin e Vallaqit.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu përmes një përgjigje me shkrim thekson për KosovaPress se marrëveshja e arritur më 9 dhjetor 2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale ne mes Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve te distribuimit ( faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër Komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë “ te vitit 2013.
“Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
Megjithatë, ai thotë se ZRRE-ja ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e nënshkruar të shtunën mes KEDS-it dhe Elektrosever.
“Rregullatori ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar për ofrimin e shërbimeve dhe nuk mundë të ofrojë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin”, thekson Fejzullahu.
Në komunikatë po ashtu thuhet se KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroserverin, i cili do të jetë me sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura.
“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022. Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.
“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.
Xhemaili i ka kujtuar Bislimit qëndrimin e kryeministrin Kurti që si opozitar kishte ndaj Elektroseverit.
"Prej kur marrëveshja me Elektroseverin, qenka bërë marrëveshje historike dhe sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën? Shiheni videon e mëposhtme të Albin Kurtit sa ishte në opozitë dhe qëndrimin e tij për Elektroseverin", ka thënë Xhemaili.
"Zëvendëskryeministri paska deklaru që më në fund pas 20 vjetësh do të fillojë faturimi i rrymës në veri, por nuk paska tregu se cila është hisja e Elektroseverit të Serbisë në tregun energjetik të Kosovës. Kjo qeveri me rrena ka ardhë e me rrena do të perfundojë. Populli nuk han bari, populli ju sheh!", është shprehur Xhemaili.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.