Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj në një intervistë për KosovaPress ka folur për rrjedhën e punimeve në Rrugën A, zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në kryeqytet dhe rreth kandidaturës së tij për deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Ai ka thënë se faza e parë e punimeve në Rrugën A në Prishtinë, të cilat kanë filluar tash e sa kohë, pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe se hapja e segmentit të rrugës nga Spitali Amerikan deri te barnatoret dhe lidhja me Rrugën B, synohet të realizohet gjatë këtyre muajve.
Ai ka bërë të ditur se dega e LDK-së në Prishtinë e ka propozuar atë si kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
"Dega, ku unë kryej aktivitetin tim politik edhe ku jam kryetar i njërës prej degëve të LDK-së në Prishtinë, më ka propozuar për kandidat për deputet dhe besoj shumë që do të jem kandidat për deputet, meqenëse edhe ka shkuar propozimi im. Por, listat finale dhe kandidaturat dalin sipas afateve që i ka caktuar edhe KQZ-ja", tregon Zogaj.