Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar procesin e auditimit të performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë, i cili është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025. Ky auditim synon të vlerësojë masat dhe veprimet e institucioneve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive pyjore, të cilat përfaqësojnë një nga burimet më të vlefshme natyrore të vendit.
Sipas ZKA-së, fushëveprim i këtij auditimi është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.
ZKA vlerëson se ruajtja dhe menaxhimi efektiv i pyjeve është thelbësor për mjedisin, shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Raportet e ndryshme tregojnë se veprimet ilegale dhe mungesa e planifikimit strategjik kanë shkaktuar dëmtime serioze në ekosistemet pyjore.
Përmes këtij auditimi, ZKA synon të ndihmojë në identifikimin e masave që mund të ndërmerren për të përmirësuar menaxhimin e pyjeve, në mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.